Arkiv Milan Radoiçiq, zëvendëspresident i Listës Serbe takohet me kryeministrin e Kosvës Ramush Haradinaj në korrik 2018. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Haradinaj zbardh takimin e Hashim Thaçit me Milan Radoiçiqin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se nuk është duke komunikuar më me liderin kontrovers të serbëve të veriut, Milan Radoiçiq që nga koha kur ai është vënë në listë të ndjekjes nga ana e organeve shtetërore të Kosovës si i dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq në janar të vitit të kaluar.

Haradinaj është takuar në disa raste me Radoiçiqin, përfshirë edhe takime në zyrën e tij në kohën kur ky i fundit ishte zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe, partnerit serb të Haradinajt në qeverinë e Kosovës.

“Kam punu me Radoiçiqin si zyrtar i Listës Serbe, ashtu qysh kam punu me zyrtarët e tjerë të Listës Serbe. Nuk kam mundësi me pasë komunikim me Radoiçiq,  sepse ai është në kërkim”, tha Ramush Haradinaj.

Bashkëpunimi i Haradinajt me Radoiçiq është përmendur edhe javën e kaluar nga Presidenti Thaçi gjatë një fjalimi në një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Tiranë.

Por Haradinaj tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Presidentit.

“Deklaratat e Presidentit nuk i kam dëgju me të thanë të drejtën, s’mund t’i komentoj”, tha ai.

Madje ai tha se edhe Thaçi e ka pritur Radoiçiqin në zyrën e tij dhe se vet Haradinaj tha se ka qenë në atë takim.

“Unë ju siguroj që e kam taku z. Radoiçiq bashkë me Presidentin Hashim Thaçi në zyrën e tij. Unë s’kam qef me i fshehë këto. Kur të takohem me dikën, e ia zgjas dorën dikujt s’kam qef me e fshehë. Ma shumë se dy orë kemi pasë takim në zyrën e Thaçit bashkë me përfaqeues tjerë të shtetit”, tha Haradinaj