Haradinaj: Vlora Çitaku është ambasadore e Hashim Thaçit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në Kuvendin e VIII-të Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Deçan ka folur për zhvillimet e fundit në vend rreth taksës 100 %, dhe mundësinë e largimit të Bazës amerikane të Bondsteel.

Ai në këtë takim ka folur edhe për përfaqësimin e ambasadores Vlora Çitaku në Amerikë, duke thënë se ajo nuk e përfaqëson Kosovën.

“Janë prej Kosovës që po shkojnë po thonë “thuaja qita e hekë taksë”, merre me mend, ambasadorja nuk është e Kosovës, është ambasadore e Hashim Thaçit, nuk e përfaqëson Kosovën fatkeqësisht. Janë një rreth i “pshtjellanave” të këtij vendi që po na marrin në qafë e po shkaktojnë përqarje”, ka thënë Haradinaj.

Deklarata e kryeministrit Haradinaj në lidhje me ambasadoren Vlora Çitaku kanë nxitur reagime për Deputetët e Kosovës.

Blerta Deliu- Kodra Deputete e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se Çitaku është njëra nga diplomatet më të denja shqiptare.

“Goditja ndaj saj është goditje e rëndë jo vetëm ndaj diplomacisë kosovare por edhe ndaj një ambasadoreje të denjë e cila i ka bërë krenarë gjithmonë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Deliu.

Kryeministri ka folur edhe për debatin rreth largimit të Bazës Amerikane në Bondsteel, ku ka thënë se asnjëherë nga Amerika nuk ka kërkuar diçka personale duke u thirrur se është kërkesë për Kosovën.

“Kurr s’kam shku me i thanë Amerikës diçka që është për të mirë për Kosovën, e që nuk ka qenë, po e kam pas për veti. I lus amerikanët ti dallojnë këto kërkesa që janë personale dhe kërkesa që janë për një Kosovë sepse dallojnë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se Bonsteel është njëra prej bazave ushtarake të Amerikës në botë e cila operon për siguri globale, dhe se kur ka operuar në ish jugosllavi nuk ka pasur baza.

“Mundet Amerika në planet e veta afatgjate edhe me hek Bondsteel-in, mundet me punu një tjetër, mundet me dal në Veri, janë vendime të tyre strategjike por ato retorikat që Serbia e hek Boondsteel-in për shkak të taksës janë të hershme, nuk kemi të drejt të bëjmë këto thashetheme në Kosovë”, është shprehur kryeministri.