Haradinaj viziton Policinë dhe FSK-në, i falenderon për sigurinë që ofrojnë sonte

Kryeministri i Ramush Haradinaj  në prag të ndërrimit të moteve ka vizituar Policinë e Kosovës si dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për, siç ka thënë, t’u shprehur mirënjohje që me punën e tyre i sigurojnë qytetarëve të vendit siguri gjatë kësaj nate festive.

“Posaçërisht një falënderim të veçantë për ta, sepse sonte kur ne festojmë në shtëpitë tona, mijëra policë duhet të jenë në punë. Ata punojnë që ne të festojmë të qetë”, tha kryeministri Haradinaj pas vizitës që i bëri Policisë së Kosovës.

Kryeministri tha se ka marrë një premtim se do të ketë një mobilizim të nevojshëm dhe garanci se do të festojmë të qetë, duke bërë apel tek qytetarët që të bëjnë kujdes me mjetet piroteknike dhe të mos gjuajnë me armë zjarri dhe po ashtu që qytetarët të mos vozisin nën ndikimin e alkoolit.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, e ka falenderuar kryeministrin për vizitën dhe përkrahjen dhe premtoi se Policia do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ofruar siguri në këtë natë feste.

Kryeministri ka vizituar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe vendqëndrimin e rojeve kujdestare.

Në këtë vizitë, Haradinaj ishte i shoqëruar nga ministri i FSK-së, Rrustem Berisha si dhe gjenerali Rrahman Rama.

“Jam sot këtu për t’i takuar ushtarët e Kosovës, ata që bëjnë roje sonte. Më vjen mirë për pritjen që ma bënë gjenerali Rama dhe Ministri Berisha, pra e ndjejë situatën nëpër të cilën kalon secili ushtar dhe ushtare sot, në këtë të ftohtë në të gjitha qendrat”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Haradinaj tha se shpreh falënderimin për shërbimin e tyre që të jenë në gjendje gatishmërie e nevoje për t’iu përgjigjur kërkesave tjera nëse ka nevojë.