Foto: ZKM

Haradinaj: Viktimat e dhunës seksuale do të kenë trajtim dinjitoz nga institucionet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur takim me Lordin, Tariq Ahmad, përfaqësues Special i kryeministres Britanike, Thereza May, për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, si dhe Baroneshën Arminka Helic, anëtare e Dhomës së Lordëve.

Kryeministri Haradinaj foli për të arriturat e Qeverisë së Kosovës në të gjitha fushat, duke përmendur faktin që për herë të parë pas përfundimit të luftës, viktimat e dhunës seksuale mund të marrin pension bazë dhe t’u njihet statusi i tyre me ligj. 

“Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë duke e trajtuar me seriozitet temën e viktimave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë dhe ne jemi të fokusuar që ky angazhim të avancojë në të mirën e përmbushjes së detyrave nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces, në njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave”, tha Haradinaj.

Gjithashtu, kryeministri i vendit tha se institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë në përmbylljen e kësaj teme tragjike për vendin dhe në përmirësimin e statusit të tyre në shoqëri dhe Mbretëria e Bashkuar është partner serioz i ndihmës në këtë fushë.  

“Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë partneritet të vazhdueshëm dhe ne jemi të dedikuar që ky edhe më tutje të avancojë në fusha të ndryshme për të cilat ka nevojë vendi ynë”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, Lordi Ahmad vlerësoi punën e Qeverisë së Kosovës lidhur me trajtimin e kësaj kategorie dhe theksoi se këto raste nuk duhet të jenë të margjinalizuara në shoqëri. Më tej, Lordi Ahmad shprehu gatishmërinë e tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e mëtejme për Kosovën, duke inkurajuar Qeverinë për hapat e ndërmarrë deri më tani.

Në takim prezent ishte edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.