Haradinaj: Vetëvendosje është bërë ‘nervoze’ për shkak të rënies së besimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, foli edhe për partinë opozitare VV-në dhe fushatën e tyre kundër ‘PANhajnisë’.

Haradinaj përmendi fjalimin e deputetit të VV-së, Glauk Konjufca dje në Kuvendin e Kosovës, ku ai kontratën me ‘Countur Global’ e konsideroi si projekt kriminal.

“Po e shohë që kanë një nervozizëm në Vetëvendosje, e pash Glaukun kur doli në foltore dje, këtë fjalën kriminalizim e kanë bërë pjesë të fjalorit, dje për kontratën Countur Global thojke kriminale, është gabim koncepti i tillë shpresoj se do ta kuptojnë”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt i gjithë ky “nervozizëm” i VV-së vie për shkak të rangimit të ulët të kësaj partie në anketa të ndryshme të opinionit publik.

“E drejta për protestë është e të gjithëve, në Vetëvendosje është një nervozizëm për shkak të matjes së rezultateve të opinionit AAK-ja e ka tejkalu VV-në në popull në besim. VV-ja nuk po i paraqet temat në formën e duhur, kryesisht nervozizëm e militantizëm” tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të  Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, dje në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se projekti i Termocentralit “Kosova e Re” do të hyjë në historinë e kontratave të Kosovës së pasluftës, si projekti ekonomik më i kriminalizuar që është nënshkruar ndonjëherë në Kosovë.