Haradinaj: Ushtria e Kosovës do të jetë gjithmonë multietnike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se formimi i Ushtrisë së Kosovës është një lajm i mirë për konsolidimin e shtetit, duke shtuar se do të bashkëpunojë më të gjitha ushtritë në rajon, përfshirë edhe atë të Serbisë.

“Sot, me 107 vota PËR, nga të gjithë deputetët e pranishëm në Parlamentin e Kosovës, u mandatua Ushtria e Kosovës. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Forca e Kosovës do të jetë gjithmonë multietnike, dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, në funksion të paqes me të gjitha ushtritë e rajonit, përfshi edhe Ushtrinë e Serbisë, që të kemi partneritet për paqe”, ka thënë Haradinaj.

Kosova pas 10 vitesh pavarësi ka formuar ushtrinë e saj. Ky vendim është marrë sot në Kuvendin e Kosovës me vota unanime nga ana e deputetëve. Mirëpo kjo nuk u mirëprit nga ana e BE-së dhe NATO-s.