Haradinaj thotë se nuk ka kohë të marrë pjesë në dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media, u deklarua lidhur me zhvillimet e fundit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj tha se me presidentin Hashim Thaçi janë duke diskutuar, por se pozicioni i tij kundër korrigjimit të kufijve është i qartë.

“Jemi duke biseduar, e vërteta është kështu ka një kohë të gjatë që ekziston një teori e marrëveshjes shqiptaro-serbe. Tashmë  diskursi ka ndryshuar. Pozicioni im është i qartë, në mënyrë korrekte. Është logjikë e gabuar me u kthy prapa për diçka që e kemi mbërri. Ne synojnë anëtarësimin në BE”, tha ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së Haradinaj në bisedimet në Bruksel, kryeministri tha se nuk ka kohë për të marrë pjesë atje.

“Unë s’e mohoj kryerjen e funksioneve që mi jep kushtetuta, po realisht për këtë çështje  problemi është te koha. Për dialog nuk kam shumë kohë”, tha Haradinaj.

Gjatë ditës kryeministri dhe presidenti kanë zhvilluar polemika  nëpërmjet Facebook-ut, për çështjen e kufijve.