FOTO KALLXO

Haradinaj: Të pastrojmë i madh e i vogël, na ndihmon edhe në procesin e liberalizimit të vizave

Kryeministri i vendit  Ramush Haradinaj, ka deklaruar se me pastrimin e Kosovës nga mbeturinat e ndihmojmë edhe procesin e liberalizimit të vizave.

Haradinaj këto komente i bëri sot në tryezën e thirrur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane, ku po diskutohet me kryetarë të komunave të Kosovës për zhvillimet dhe planet në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.

“Krejt institucionet e vendit i kemi ftuar që me ju siguru që çdo partner potencial të arrijë suksesin e tij, sepse asgjë s’do të bëhet pa mbështetjen e juaj. Ju siguroj që në fund krejt do të jenë fitues sepse sfidat me ambientin do të jenë të përjetshme. Ju lus edhe njëherë që ta japim provimin sepse kjo temë na ka ikë diqysh. Vetëm nga kjo e përmirësojmë imazhin për liberalizim të vizave. Nëse në Evropë ndonjë gazetë shkruan qysh në Kosovë i madh e i vogël janë t`u e pastru Kosovën e ndihmojmë veten shumë”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës,  tha se ka shumë për të diskutuar pasi që deri më tash mbeturinat janë konsideruar vetëm si barrë, kurse sot sipas tij në shumë vende ato llogariten si aset për shkak të riciklimit.

“Kemi shumë tema për diskutuar për shkak se është njëra ndër ministritë më të rëndësishme dhe jemi një prej komunave që nëse para disa viteve mbeturinat janë konsideruar si barrë e madhe sot në shumicën e botës është aset duke marrë parasysh mjetet e riciklimit dhe kthimit të tyre në forma të ndryshme të energjisë këto janë gjëra që komunat s’mund t’i bëjnë vetë. Është Obiliqi ai që e paguan çmimin më të madh sepse i mban të gjitha komunat e Kosovës. Me datën 15 në Prishtinë fillojmë dhe ftojmë të gjithë të na bashkëngjiten në këtë aksion për t`i mbledhur këto mbeturina. Edhe ne si komunë nuk kursejmë as buxhet e as kohë për këtë punë. Kemi filluar të diskutojmë me ministrin e ambientit sa i përket ndotjes së ajrit, sepse kur po na del niveli i lartë i ndotjes së ajrit po bëhemi të gjithë ambientalist, prandaj duhet të fillojmë të punojmë gradualisht ndër vite për ta rregulluar këtë problem”, ka thënë Ahmeti

Enver Tahiri nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se shërbimi për mbledhjen e mbeturinave ende nuk është zgjeruar në të gjitha komunat.

“Mungesa e mjeteve financiare në përgjithësi ka ndikuar sepse nuk ka pasur buxhet. Mungesa e organizimit të sistemit për ndarje dhe klasifikim, duhet filluar të bëhet kjo ndarje që nga shtëpia e më tutje. Që nga viti 2005 ligji për mbeturina është në funksion, komunat që dy vite kanë filluar t`i zbatojnë disa dispozita të këtij ligji por jo në tërësi dhe informacionet që merren për mjedisin merren nga organizatat në përgjithësi. Për gjithçka që bëhet në mbeturina duhet paguar. Nuk jemi shumë të mirë në menaxhim si institucione apo kompani. Kemi përparim në gjendjen aktuale sepse ministria bën një analizë krahasimore nëpër komuna dhe kemi rritje në nivelin e shërbimeve por nuk është shumë e madhe”, ka thënë Tahiri.