Ramush Haradinaj

Haradinaj të ikurve nga Kosova: Kthehuni!

Në Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që të gjithë ata që e kanë braktisur vendin si emigrantë, të kthehen si qytetarë dhe të investojnë në atdhe.

‘’Në memorien e shumë brezave të qytetarëve tanë rëndon pesha e emigrimit, qoftë të nxitur nga arsye ekonomike e sociale, por edhe të përndjekur për arsye politike. Në ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, ne i kemi ende të freskëta në kujtesën tonë, pamjet dhe përvojat e gjithësecilit, kur me pak rroba në trup, të pa shpresë dhe të pa ushqyer, kemi mësyrë rrugët pa adresë, të shtyrë nga regjime shtypëse’’, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tutje Haradinaj ka shkruar se do t’i kujtojmë ata njerëz, kudo në botë, që na kanë dalë ndihmë, për të na dhënë strehim në shtëpitë e tyre dhe një punë në tokën e tyre.

‘’Sot i kujtojmë edhe sakrificën për liri të heronjve  dhe luftëtarëve tanë që nga emigracioni iu përgjigjen thirrjes së atdheut në përpjekjet për liri e dinjitet. Jemi dëshmitarë, që shteti i Kosovës, që e kemi krijuar me shumë mund dhe me ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike, është atdhe i të gjithëve dhe shtëpi e ngrohtë për të gjithë.  Ata që dje kanë braktisur vendin si emigrantë, sot mund t’i shërbejnë më së miri atij si qytetarë, kudo që janë, me investime në atdheun e të parëve’’ ka shkruar kryeministri.