Haradinaj: Tarifa do të mbetet në fuqi edhe pas dorëheqjes sime

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalimin e dorëheqjes së tij, garantoi qytetarët e Kosovës që taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës do të vazhdoj të mbetet edhe pas dorëheqjes.

“Më lejoni të iu siguroj se taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha që Bashkësia Ndërkombëtare është duke bërë gabim që po insiston në largimin e taksës.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes. Bashkësia Ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmimin të papërballueshëm për Kosovën, për njohjen”, shtoi Haradinaj.

Në fund ai porositi pasardhësin e tij që të mos e vë në ‘pazarin’ e dialogut vendimin për taksën.

“Lidershipi kosovarë po bën gabim që nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimin për taksën. Herët a vonë do ta kuptojnë se sa dëm i madh i bëhet vendit me këtë mos-unitet. Kosova euroatlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, dialogu për njohje është edhe rruga për të cilën jemi të lirë me Serbinë.Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë. Tregu për njohje e jo ndarje apo “Republika e Dodikut”, theksoi ai.

Kryeministri Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit. Ai ka dhënë arsyetimin për këtë në mbledhjen e qeverisë. Arsyeja e dorëheqjes sipas tij është sepse e kanë thirrur për intervistim në Hagë. Ai tha se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkoj si përfaqësues i qeverisë.

https://kallxo.com/kryeministri-i-kosoves-jep-doreheqje/

 

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.