Haradinaj takon Vlora Çitakun

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka takuar në SHBA ambasadoren Vlora Çitaku, të cilën javë më parë e kishte quajtur “Ambasadore të Hashim Thaçit”.

Ai derisa po qëndron në ShBA u taku edhe me bashkëpunëtorët, Edi Demaj dhe Marian Camaj, të cilët janë ndërrmarrës në Detroit të SHBA-ve.

“Drekë pune me ambasadoren Vlora Çitaku me bashkëpunëtorë, Edi Demaj dhe Marjan Camaj, ndërmarrës të suksesshëm në Detroit të ShBA-ve. Është mbresëlënës suksesi i tyre, nga refugjatë në 99-tën, në emra të suksesshëm në fushën e teknologjisë, internetit dhe IT-së. Storien e suksesit në ShBA e kanë sjellë edhe në Kosovë, duke investuar kapitalin e tyre për të hapur vende të reja pune dhe rritur ekonominë e vendit’, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se ka ftuar këta ndërmarrët të investojnë më shumë në Kosovë, duke u zotuar se Qeveria do të jetë gjithmonë mbështetëse për investimet e tyre.

Në mars, Kryeministri Haradinaj lidhur me Çitakun kishte thënë ” ambasadorja nuk është e Kosovës, është ambasadore e Hashim Thaçit, nuk e përfaqëson Kosovën fatkeqësisht”.

Ndaj kësaj kishte reaguar Çitaku duke thënë:  “Unë jam Ambasadore e Kosovës. Dhe Ramush Haradinaj është Kryeministri im. Të jem Ambasadorja e juaj ne Uashington DC është nderi i jetës sime”.

https://kallxo.com/citaku-reagon-pas-deklaratave-te-haradinajt-se-ajo-eshte-ambasadore-e-hashim-thacit/