Foto: ZKM

Haradinaj takon Vasfije Krasniqin: Jeni zëri i së vërtetës që ka ndodhur në Kosovë

Kryeministri Ramush Haradinaj priti më takim Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, e cila është edhe pjesë e Lëvizjes globale kundër dhunës seksuale.

Haradinaj vlerësoi guximin e lartë me të cilin Vasfija rrëfeu përvojën e trishtë që kishte kaluar gjatë luftës në Kosovë, duke vlerësuar që ky hap është tejet i rëndësishëm për ta fituar drejtësinë.

“Ju inkurajoj për guximin tuaj dhe të familjes tuaj dhe besoj që ky guxim do t’i inkurajoj të tjerët të ndjehen të lirë dhe vetëm atëherë, mund të kërkojmë drejtësi”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Sipas tij, personat e kësaj kategorie me fitimin e statusit, fitojnë besimin që të kërkojnë drejtësi.

“Duke u bërë shembull për shumë viktima të tjera, ju jeni zëri i së vërtetës që ka ndodhur mbi popullin tonë dhe në këtë mënyrë ju hapni rrugë për drejtësinë që ka munguar për dy dekada”, tha kryeministri Haradinaj, duke ofruar përkrahjen e tij dhe të institucioneve të Kosovës.

Ndërkaq, Vasfije Krasniqi-Goodman, tha se me përkrahjen e vazhdueshme që ka pasur nga familja dhe rrethi, ajo ia ka dalë që të vazhdojë jetën, të krijojë familjen e saj dhe gjithashtu sot, të bëhet zëri i shumë viktimave të tjera.

Vasfije Krasniqi- Goofman është dekoruar sot me Medalje Presidenciale “Qytetare e Merituar”, nga presidenti Hashim Thaçi.

https://kallxo.com/thaci-dekoron-vasfije-krasniqin-rrefimi-i-saj-thirrje-per-ndergjegjen-e-tone-te-popullit-serb-dhe-nderkombetareve/