Haradinaj takon ambasadorin francez, diskutojnë për liberalizimin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka takuar Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert më të cilin kanë biseduar për procesin e liberalizimit të vizave.

Haradinaj ka paralajmëruar se më 1 korrik do të bëjë një vizitë në Francë ku do të takohet me Ministrin e Brendshëm të Francës Christophe Castaner, për liberalizimin e vizave.

“Prita sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert me të cilin diskutuam për vizitën time zyrtare në Paris dhe takimin me Ministrin e Brendshëm Castaner. Me qëllim të koordinimit dhe avancimit të agjendës së Kosovës për liberalizimin e vizave dhe integrimin europian, partneritetit bilateral politik dhe ekonomik me Francën”, ka shkruar Haradinja në facebook.

Haradinaj ka thënë që qeveria është përgatitur për këtë takim dhe nga Ministri i punëve të Brendshme të Francës do të kërkoj mbështetje për avancim të agjendës evropiane.

“Qeveria ka finalizuar përgatitjet dhe argumentet e saja, të cilat ia paraqita Ambasadorit Chabert dhe të cilat do t’i paraqesim edhe para zyrtarëve francez. Në këtë vizitë do të zhvilloj takime edhe me përfaqësues të tjerë institucional dhe politik të Francës, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe kërkimin e mbështetjes për avancimin e agjendës evropiane të vendit”, ka shkruar tutje ai.