Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj Takoi të Akuzuarin për Krim të Organizuar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka pritur në zyrën e tij Ukë Rugovën, djalin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili është i akuzuar për krim të organizuar.

Në takimin që është zhvilluar në Kryeministri përveç Ukës nga familja Rugova ishin edhe djali tjetër i presidentit të ndjerë, Mendimi, si dhe bashkëshortet e tyre.

“Bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë me familjen Rugova, i vendosur në kohëra të vështira për vendin, ka vazhduar deri në ditët e sotme. Familjet emblematike do të mbështeten në mënyrë institucionale dhe në vazhdimësi, sepse në këtë mënyrë nderojmë Republikën e Kosovës”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në një postim në “Facebook” pas takimit.

Ukë Rugova është arrestuar nga Policia e EULEX-it më 5 shkurt të vitit 2014, kur edhe është bastisur shtëpia e tij në lagjen Velania në Prishtinë.

Në procesin gjyqësor, djali i ish-presidentit Rugova, akuzohet lidhur me lëshimin e paligjshëm të 556 vizave italiane Schengen.

Sipas aktakuzës, Ukë Rugova ka krijuar organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar aktivitetet e një grupi kriminal qëllimi i të cilit ishte përfitimi material duke furnizuar individë me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Shkrimet rreth rastit të Ukë Rugovës mund t’i lexoni këtu.

Haradinaj dhe familja Rugova, Foto: Facebook