Haradinaj takoi ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, bisedojnë për shkëmbimet doktrinave ushtarake
Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Kosovë me ç’rast ka takuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ndonëse takimi ishte i mbyllur për media, përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se me ministrin Akar kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.
“Me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, bashkëbiseduam për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë shkëmbimet e përvojave dhe doktrinave ushtarake, në suaza të parimeve dhe standardeve të NATO-s”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
Haradinaj poashtu ka bërë të ditur se ka uruar ministrin Akar me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, dhe e ka falënderuar atë për kontributin e personelit ushtarak e civil turk brenda KFOR-it për paqe dhe siguri në Kosovë.
Dje Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar qëndruar në Shkup, ku ka kërkuar nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, që të ndërmarrin masa kundër siç ka thënë, “strukturave terroriste të organizatës Feto” që veprojnë në territorin e këtij vendi, e që sipas tij, po dëmtojnë “raportet mes dy vendeve, miqësinë dhe lidhjes vëllazërore”.