Haradinaj takohet me Senatoren e Iowas

Kryeministri i Kosovës, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar edhe senatoren amerikane nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.

Në këtë takim Haradinaj ka biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj tha se bashkëpunimi bilateral i Kosovës me shtetin e Iowa-s është dëshmia më e mirë e orientimit tonë pro-amerikan.

Sipas një komunikate për medie, Haradinaj me këtë rast, ka ripërsëritur kërkesën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë të përfshira në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obliguese për të dy vendet, e cila do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajon.

Duke iu referuar vizitës së fundit në Kosovë të një delegacioni nga Iowa, kryeministri tha se janë arritur marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha, si në ekonomi, biznes, arsim dhe në projektet e binjakëzimit dhe kjo është dëshmi e mirë se partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve tona është i një rëndësie të veçantë për Kosovën.

I pari i ekzekutivit tha se miqtë si Ernst dhe Iowa duhet t’i mbajmë përherë afër vetes. Në anën tjetër senatorja, Joni Ernst, gjatë takimit me Haradinaj ka përgëzuar atë dhe institucionet e Kosovës, për të arriturat dhe përkushtimin e tyre në avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës.

Ndërkaq, shprehu besimin e saj të plotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë mbështetjen e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat zhvillimore, po ashtu edhe në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.