Iftar i shtruar nga kryeministri Haradinaj - Foto: Facebook/Ramush Haradinaj

Haradinaj shtron iftar për drejtuesit e Bashkësisë Islame, i pranishëm edhe presidenti Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit ka shtruar iftar për myftiun Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Si vazhdimësi e traditës, sonte kam shtruar iftar për nder të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij. Cilësitë më të mira njerëzore që vijnë në shprehje gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit, le të na shërbejnë që ta tejkalojmë veten për të mirën e përbashkët, fuqizimin e shtetit tonë dhe ruajtjen e vlerës sonë të rrallë dhe të dëshmuar të tolerancës ndërfetare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në këtë iftar të shtruar nga kreu i Qeverisë ishin edhe ministrat dhe zëvendëskryeministrat, si dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Kryeministri ka uruar qytetarët për këtë muaj të shenjtë duke u dëshiruar agjërim të lehtë

“Të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë, ju dëshiroj agjërim të lehtë edhe përgjatë ditëve të mbetura të Ramazanit”, ka theksuar ai.

Ditë më parë kreu i ekzekutivit ka qenë i ftuar në iftare nga ministri Mahir Yagcilar në qytetin e Prizrenit.