Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

Haradinaj: Shtesa për prokurorët që e luftojnë korrupsionin

Në kuadër të fillimit të javës kundër korrupsionit, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka theksuar se mund të krenohemi me ligjet e reja, që sipas tij fuqizojnë sundimin e ligjit në fushën antikorrupsion.

Kryeministri ka treguar se prokurorët specialë nga nesër do të kenë edhe shtesat e pagës, duke e vlerësuar si hap të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit.

“Me qëllim të zbatimit të këtyre ligjeve në praktikë, në Mbledhjen e nesërme të Qeverisë, do të vendosim për shtesë financiare në pagë për prokurorët specialë, me qëllim të fuqizimit të Prokurorisë Speciale, si hap i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit. Prokurorët specialë, të cilët ndjekin këtë fushë, nga nesër do të kenë edhe shtesat e pagës që do t’u japë atyre më shumë konfidencë që të zbulojnë dhe ndjekin veprat e korrupsionit”, ka shkruar i pari i ekzekutivit në llogarinë e tij “Facebook”.

Ai shtoi se për këtë, sistemit të drejtësisë duhet t’i vijnë në ndihmë edhe qytetarët dhe shoqëria civile, duke bashkëpunuar ngushtë, që në një të ardhme të afërt, siç tha Haradinaj të jemi dëshmitarë se shteti i së drejtës do të triumfojë në këtë betejë.

Sot është hapur “Java Kundër Korrupsionit 2018”, ku morën pjesë edhe ambasadorët e shteteve të Quintit, të cilët përçuan mesazhin e tyre për luftimin korrupsionit në Kosovë.