Kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Haradinaj: Shpresoj të Mos i Shohim Deputetët me Pranga

Duke folur për programin qeveritar të katër vjetëve të ardhshëm, Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se shpreson që të rregullohet imuniteti i deputetëve.

“E shpresoj që të rregullohet edhe imuniteti i deputetëve, e mos t’i shohim qysh i shohim sot me pranga në gjykatë”, tha Haradinaj.

Ai foli edhe për sundimin e ligjit.

“Institucionet e sundimit të ligjit do të reformohen dhe avancohen. Do të zgjidhen rastet e shumta që kanë mbetë nëpër gjykata”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha se gjatë mandatit të tij do të realizohen “projekte të mëdha zhvillimore. Njëherë e përgjithmonë do të zgjidhim problemin me energjinë elektrike. Synojmë të zhvillojmë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.

Ai deklaroi se do të thellojë bashkëpunimin me ShBA-në dhe BE-në, ndërsa përmendi edhe dialogun me Serbinë.

“Ne synojmë marrëdhënie fqinjësore edhe me Serbinë. Në këtë kuadër kemi kërku që SHBA të jetë në tavolina, ky dialog të këtë afatizim dhe përmbyllja të jetë njohja reciproke”, tha Haradinaj.

Ai fjalën e tij e mbylli me konstatimin se programin deputetët e kanë të shkruar dhe nuk do t’i lodhë ata më shumë.