Haradinaj: Shëndetësia në Kosovë, Sistem me Shumë Sfida

Shëndetësia e Kosovës është një sistem me shumë sfida, ka thënë sot kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kreu i AAK-së me një grup bashkëpunëtorësh ka vizituar Qendrën Kombëtare për Transfuzion të Gjakut, ku dhe kanë dhuruar gjak.

Po ashtu, delegacioni i AAK-së vizitoi edhe Emergjencën, ku nga drejtori Basri Lenjani është njoftuar me sfidat me të cilat përballet ky shërbim i rëndësishëm shëndetësor.

“Përveç vështirësive kryesore me të cilat përballet i tërë sistemi shëndetësor, këta (Emergjenca) kanë vështirësi të veçanta, siç është hapësira, e cila është shumë e vogël, sistemi i referimit, zakonisht nuk bëhet mirë organizimi me nivelet e tjera të kujdesit nëpër regjione dhe lista esenciale, e cila është bërë e famshme edhe ajo është e ndjeshme”, theksoi Haradinaj. Ndërsa, drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, theksoi se institucioni të cilin e drejton ai nuk ka mbetur asnjëherë pa ndonjë ilaç jetë-shpëtues.
“Ne kërkuam që institucionet vendimmarrëse të kenë prioritet shërbimet emergjente mjekësore. Kam kërkuar dhe po kërkoj që këto shërbime të kenë buxhetin vetanak dhe listën e barnave”, ka theksuar Lenjani.

Ndërsa, drejtori i Klinikës së Pediatrisë, Muharrem Avdiu, pas takimit me Ramush Haradinajn dhe bashkëpunëtorët, u ankua se në rend të parë Klinika që drejton ai nuk ka barna të mjaftueshme, se ka nevojë për numër më të madh të motrave medicinale, por edhe të doktorëve.

“Kemi nevojë për drejtime të reja, për specializime të reja dhe zgjidhje të reja. Jemi në një reduktim të punës dhe aktivitetit për shkak të mjeteve që nuk i kemi dhe buxhetit që  nuk është adekuat”, theksoi Muharrem Avdiu.

Ndërsa, Ramush Haradinaj nuk u prit nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Curr Gjocaj. Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, tha për KALLXO.com se Gjocaj ka qenë në mbledhje të Bordit.
“Është në mbledhje të bordit nga ora 10:00. Sot ka qenë e planifikuar mbledhja e Bordit. Drejtori e ka obligative pjesëmarjen në Bord”, tha Fazliu.