Territori që do të demarkohet ndërmjet kosovës dhe Malit të Zi - Foto: REL

Haradinaj: Së shpejti takimi për Çakorrin e Kullën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se së shpejti do të takohen komisionet ndërshtetërore të Kosovës dhe Malit të Zi për rishikimin e demarkacionit.

“Komisionet ndërshtetërore së shpejti takohen për rishikimin e demarkacionit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit!”, ka shkruar kreu i Qeverisë në “Facebook”.

Sipas Haradinajt, në Çakorr dhe Kullë mund të hapet edhe një pikë kufitare që ndanë dy vendet, Malin e Zi dhe Kosovën.

“Për çështjen e rishikimit të Marrëveshjes për demarkacimin e kufirit me Malin e Zi, në raste të shumta, në mirëbesim të plotë, kam biseduar me homologun tim malazez, Dusko Markovic. Kosova dhe Mali i Zi janë gati të formojnë komisionet për rishikimin e demarkimit të kufirit më drejtim të Kullës dhe Çakorrit. Edhe gjatë Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan, me kryeministrin e Malit të Zi rikonfirmuam dakordimin që komisionet të fillojnë punën në afat optimal dhe që së shpejti të hapet një pikë kufitare në Çakorr dhe Kullë”, shkruan tutje ai.

“E falënderoj homologun tim, Dusko Markovic, për qasjen konstruktive dhe vullnetin për fuqizimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona”, ka shkruar në fund Haradinaj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës ratifikuan Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi më 21 mars 2018.

Kjo marrëveshje ishte miratuar me 80 vota ‘për’.

Para se marrëveshja të dalë në votim, deputetët e Vetëvendosjes për tri herë rresht patën  hedhë gaz lotsjellës në seancë duke e detyruar kryetarin e Kuvendit Veseli ta ndërpresë seancën deri në pastrimin e sallës.