Foto: ZKM

Haradinaj: Roli konstruktiv i Gjermanisë i nevojshëm për Ballkanin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot është takuar me deputetin e Bundestagut, Johann David Wadephul dhe me anëtarin e Komitetit për Politikë të Jashtme dhe raportuesin për marrëdhëniet trans-atlantike dhe Ballkanin Perëndimor, Peter Beyer.

Haradinaj ka thënë se Kosova është e fokusuar në fuqizimin e partneritetit me Gjermaninë dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit bilateral.

“Këtë qëndrim ia rikonfirmova Johann David Wadephul, deputet i Bundestagut, zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar të CDU / CSU, përgjegjës për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Peter Beyer, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe raportues special për marrëdhëniet trans-atlantike dhe Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Haradinaj.

Tutje ai ka shtuar se gjithmonë do të jemi falënderues ndaj shtetit gjerman, për kontributin në shtetndërtimin e Kosovës, për rolin konstruktiv në shumë zhvillime politike në vend por edhe në Ballkan, veçmas në tri dekadat e fundit.