6 shtetasit turq të deportuar nga Kosova për në Turqi

Haradinaj reagon pas evidentimit 31 shkeljeve në dëbimin e ‘gylenistëve’

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka reaguar pas publikimit të 31 shkeljeve të cilat Komisioni Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turk i ka gjetur gjatë punës së tij.

Përmes një postimi në facebook kreu i ekzekutivit ka përmendur hapat që I ka marrë pasi që ka ndodhur I gjithë rasti.

“Duke respektuar kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës kam konsideruar me rëndësi vitale ndriçimin e plotë të ngjarjes së dëbimit me forcë të shtetasve turq nga Kosova. Për ta adresuar këtë situatë menjëherë kam marrë masa institucionale duke shkarkuar Drejtorin e AKI-së dhe Ministrin e Punëve të Brendshme që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi rastin”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Tutje Haradinaj ka thënë që pikërisht për këtë çështje ai ka kërkuar raporte nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë çështje.

“Me angazhim të plotë për të qartësuar përgjegjësitë institucionale, shmangiet e mundshme kushtetuese dhe ligjore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe, mbi të gjitha, garantimin e sigurisë kombëtare, kam kërkuar raporte hetimore nga Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor i Kosovës, Autoriteti Civil i Aviacionit, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror”, ka theksuar Haradinaj.

Haradinja ka thënë që edhe komisionit hetimor parlamentari ia ka ofruar të gjitha informacionet që ka për këtë çështje.

“Gjithashtu në respektim të llogaridhënies dhe ndarjes e kontrollit të pushtetit, i jam përgjigjur ftesës së Komisionit ad-hoc parlamentar që heton largimin me forcë të shtetasve turq. U jam përgjigjur pyetjeve të tyre dhe ju kam dorëzuar raport zyrtar mbi të gjitha veprimet e ekzekutivit”, ka theksuar Haradinja.

Në fund të postimit të tij Haradinaj ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe e vërteta duhet të zbardhet.

“Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme. Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut”, ka theksuar ai.

Edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar për 31 shkeljet ligjore të cilat, sipas Komisionit hetimor parlamentar, i ka bërë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar.

https://kallxo.com/ambasada-amerikane-ngre-dyshime-mbi-aki-ne-pas-raportimit-per-gylenistet/?fbclid=IwAR02oxzirQCtTBQBviq__SKc2yr1ZOsC-aSYrL8hpfz_XgWvs-jDlkEC25g

KALLXO.com ka raportuar ekskluzivisht se plani për deportimin e gjashtë shtetasve turq, të njohur si ‘gylenistët’, ka zgjatur 17 ditë dhe në të janë vërejtur 31 shkelje ligjore.

https://kallxo.com/deshmite-se-aki-planifikoi-per-17-dite-arrestimin-e-gylenisteve-ne-kosove/?fbclid=IwAR0OfORCu-wRV_Yuj1IN5U71aXOoC28VcQtcTGPBvv-2V2fAaDS4i1hCLBg

Raporti Ekskluziv i siguruar nga KALLXO.com për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova i hartuar nga eksperti amerikan i angazhuar nga Komisioni Hetimor i Kuvendit, ka nënvizuar përfshirjen e ish-drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, në këtë aksion.

https://kallxo.com/aki-pushtoi-zyren-e-policise-per-deportimin-e-shtetasve-turq/?fbclid=IwAR1vPIaLMIiJIPZoMZ9qx20XkE-Biyi60b4qpnjvg5b1E-WHPXPGYi2bhlM