Haradinaj: Protesta e VV-së për Lumezin, ndikim në drejtësi

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka kritikuar protestën e Lëvizjes Vetëvendosje që do të mbahet sot, kundër Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Haradinaj shtoi se kjo protestë është ndikim në sistemin e drejtësisë.

“Protesta nuk është vetëm dalja në rrugë ka plotë mënyra, ekziston një dallim kur një parti proteston për Kryeprokurorin sepse ndërhyn në drejtësi dhe është dallim substancial dhe i kam bërë edhe dje thirrje VV-së, që ti përdorë format e tjera për shqetësimet e tyre, para se me kalu te protesta të përdorin edhe forma tjera si diskutime në parlament, debate me ekspertë, e të tjera. Protesta e VV-së është një ndikim në drejtësi dhe sot proteston VV-ja, dikush tjetër nesër”, tha Haradinaj.

Lëvizja Vetëvendosje sot proteston para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke filluar nga ora 11:55.

‘Më 26 prill, në ora 11:55, protestojmë te Kryeprokurori i Shtetit Korrupsioni në vendin tonë është shtuar e përhapur si asnjëherë më parë. Kurrë shteti i Kosovës nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet e paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike’ , thuhet në njoftimin e VV-së.