Haradinaj pret që në Samitin e Berlinit të marr sinjal për liberalizim të vizave

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se do të jetë pjesë e samitit në Berlin ku është edhe Serbia e pranishme. Haradinaj ka thënë se pret që në këtë samit, Kosova të marr sinjalin për liberalizimin e vizave, pasi sipas tij, Kosova është vonuar shumë në këtë proces.

“Po, jemi të interesuar shkuar në Samitin e Berlinit, është një ngjarje e respektueshme. Nuk jemi veç Kosova e Serbia, janë edhe vendet e rajonit. Mendoj se kjo është një shtytje në perspektivën tonë Evropiane. Ajo që na intereson është edhe liberalizimi i vizave, qysh e dini jemi vonuar shumë në këtë proces”, tha Haradinaj.

Ai këto deklarata i bëri në Panairin Ndërkombëtar Prishtina 2019, i cili ka filluar sot. Bashkë me kryeministrin, Haradinaj në samitin që do të mbahet më 29 prill në Berlin do të shkojë edhe presidenti, Hashim Thaçi.

Ky takim do të jetë i pari i nivelit të lartë, që kur u pezulluan bisedimet në vjeshtën e vitit të kaluar, kur qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Në këtë samit, i cili do të mbahet më 29 prill do të propozohet një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë. Në Berlin janë ftuar të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa vetëm Kosova e Serbia do të përfaqësohen nga kryeministrat dhe nga presidentët./21Media