Kryeministri Haradinaj takoi prindërit e Astrit Deharit, Xhemilen dhe Avniun - Foto: Facebook

Haradinaj Premton Veprime Konkrete në ‘Rastin Dehari’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Xhemile dhe Avni Deharin, prindërit e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, i cili vdiq një vit më parë në Burgun e Prizrenit.

Haradinaj tha se me prindërit e Astrit dhe Arbnor Deharit kanë biseduar për koordinimin e veprimeve të mëtutjeshme për zgjidhjen e çdo paqartësie rreth rastit tragjik të Astrit Deharit.

“Të gjitha premtimet e mia për ndriçimin e rastit të Astritit, pas një kohe të shkurtër do të zëvendësohen me veprime konkrete, gjithnjë në konsultim me familjen Dehari”, ka shkruar Ramush Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ndryshe, dje është bërë një vit nga vdekja ende e pasqaruar krejtësisht e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku ai po mbahej si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në gusht të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/homazhe-per-astrit-deharin-foto/

Familjarë, bashkëpartiakë e miq të Astritit kanë bërë homazhe te varri i tij e më pas edhe një marsh protestues në qendër të Prishtinës.