Kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Haradinaj premton funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore, vitin e ardhshëm

Kryeministri Ramush Haradinaj në pyetjet parlamentare gjatë seancës së sotme në Kuvend i është përgjigjur deputetit të PSD-së Driton Çaushit për funksionalizimin e fabrikës lidhur me përpunimin e mbetjeve shtazore.

Haradinaj tha se funksionalizimi i kësaj fabrike është vonuar për arsye procedurale.

“Pajtohem që është paralajmëruar që fabrika të përfundojë të paktën në pjesën e parë të 2018, pro për shkak të vonesave të procedurave në nisje. Mund të ju them që objektiv është që në vitin që vjen, me u përmbyll të gjitha procedurat për këtë fabrikë. Brenda vitit të ardhshëm fabrika do të jetë operuese”, tha ai.

Ndërsa deputeti Çaushi tha se Kosova rrezikohet nga mbetjet apo nënproduktet shtazore dhe ushqimore të patrajtuara,  të cilat paraqesin një burim tepër të rrezikshëm të infeksioneve.

“Sipas Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës, një fabrikë e përpunimit të nënprodukteve të kafshëve, ishte planifikuar të ndërtohej me një investim prej 7.7 milionë euro ku 5.7 milionë ishin investim i BE-së. Ishte planifikuar ndërtimi i saj më së paku në fillim të 2017-ës por deri më sot, në gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha ai.