Haradinaj pranoi mbështetje financiare për ndërtimin e Unazës së jashtme të Prishtinës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar përkrahje financiare gjatë takimit me një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërtimin e Unazës së jashtme të kryeqytetit.

“Është rikonfirmuar mbështetja e EBRD për financimin e ndërtimit të Unazës së jashtme të qytetit të Prishtinës. Me qëllim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik, Kosova është e angazhuar që projektet e mëdha të interesit publik t’i kapitalizojë sa më parë”, ka deklaruar ai.

Në një postim në “Facebook”, Haradinaj konfirmoj përkrahjen e vazhdueshme të BERZH-it për Kosovën.

Më poshtë është postimi i plotë i kryeministrit Ramush Hardinaj:

Përkrahja e vazhdueshme nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projekteve madhore për Kosovën, i ka dhënë shtytje të fuqishme zhvillimit të qëndrueshëm në vendin tonë. Në takim me delegacionin e lartë nga BERZH, kryesuar nga presidenti Sir Suma Chakrabarti, u konfirmua përkrahja për zhvillimin e projekteve të rëndësishme nga fusha e infrastrukturës, energjisë alternative, rehabilitimit të rrjetit hekurudhor dhe të ndërlidhjes së Kosovës në gazsjellësin TAP-JAP. Poashtu, është rikonfirmuar mbështetja e EBRD për financimin e ndërtimit të Unazës së jashtme të qytetit të Prishtinës. Me qëllim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik, Kosova është e angazhuar që projektet e mëdha të interesit publik t’i kapitalizojë sa më parë.

RH