Haradinaj: Po Merret prej Kosovës për Rehati të Serbisë

Ramush Haradinaj tha para të rinjve që mbështesin opozitën se stabiliteti në Ballkan nuk mund të mbahet në kurriz të Kosovës.

“Po na thuhet ne jepni ju që të stabilizohet Ballkani. Çfarë kuptimi ka kjo, çfarë kuptimi pati ndërhyrja e NATO-së në vitin ‘99 në rast se tash duhet me marrë prej asaj që u kriju përmes njerëzve të tonë të dobët për me rahatu Ballkanin. Po merret prej Kosovës me rahatu Serbinë, me rahatu Malin e Zi,” tha Haradinaj.

Kreu i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri, duke folur për ditën kur opozita proteston në Prishtinë, tha se viti i ri për Kosovën fillon më 9 janar.

Ymeri foli edhe për vendimin e 23 dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen rreth asociacionit.

“Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj përmes neneve që i problematizon të marrëveshjes karshi përputhjes së tyre me kushtetutën, nuk thotë që këta vetëm e kanë shkelë kushtetutën po thotë që projekti i zajednicës e përmbys rendin rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës,” tha Ymeri.

Lideri i Nismës Fatmir Limaj tha se Kosova nuk mund të qeveriset më nga qeveria aktuale.

“Tash është faza e dytë, faza e cila kërkesë kryesore e ka Kosova nuk mund të qeveriset nga një qeveri që ka shkelë kushtetutën e vet dhe ka  bërë pazare me sovranitetin e saj,” tha Limaj.

Të tre liderët bënë thirrje për një protestë masive më datën 9 janar, ndërsa shfaqën një përmbledhje të  premtimeve të parealizuara të Kryeministrit Isa Mustafa, zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi e udhëheqësve të tjerë të qeverisë.