Haradinaj për ministrin që e shkarkoi: Ka punu mirë, ka qenë korrekt

Nenad Rikalo ka humbur postin e tij në qeverinë e Kosovës të shtunën e kaluar, pavarësisht se personi që e nënshkroi shkarkimin e tij, kryeministri Ramush Haradinaj, nuk i ka bërë ende ndonjë vërejtje në publik rreth performancës së tij.

Shkarkimi i Rikalos nga pozita e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u bë pas kushti që PSD i kishte vënë Haradinajt në këmbim të votave për buxhetin e vitit 2019.

Por Haradinaj, kur u pyet të martën për Rikalon, foli pozitivisht për të.

“Me ministrin Rikalo kam punu mirë. Ka qenë minister korrekt”, tha Haradinaj.

Kreu i qeverisë shtoi se nuk ka gjetur ende ndonjë emër që do ta marrë postin e zbrazët.

“ Jam në kërkim të ministrit te ri. Do te bëj konsulta me partnerët e koalicionit”, tha Haradinaj.