Policia në veri - 28.05.2019. Foto: Kallxo.com

Haradinaj për aksionin në veri: Luftimi i krimit është interes i të gjithëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, është pyetur nëse aksioni i sotëm mund të qojë në një luftë mes Kosovës dhe Serbisë.

Në përgjigjen e tij, kreu i ekzekutivit tha se retorika të tilla nuk duhet të përdoren, duke shtuar se luftimi i krimit është në interes të dy palëve.

“Nuk ka nevojë për kësi retorike nga Serbia dhe nga askush. Luftimi i krimit është interes i të gjithëve. Kosova ka kry punë të mirë, ne zbatim te ligjit në te gjithë territorin e Kosovës”, tha ai.

Haradinaj poashtu u pyet edhe për arrestimin e një shtetasi rus në aksionin në veri për të cilën tha që kjo nuk duhet të lidhet me agjendën e Rusisë në Kosovë.

“Ne respektojmë imunitetin e përfaqësuesve te organizatave ndërkombëtare. Nëse njëri nga këta përfaqësues të tyre, si në këtë rast, ky shtetas rus rrezikon, atëherë ligji merr masa. S’po du me lidh ketë rast me agjendën e Rusisë, sepse e dimë çfarë agjenda ka Rusia për destabilizim. Krimi s’ka me fitu ndonjëherë edhe s’ka kthim mbrapa. E pamë sot,  tentimi me ndal Policinë”, tha ai.

Ambasadori rus në Serbi, Alexander Chepurin ka kërkuar nga autoritetet kosovare që ta lirojnë sa më shpejtë shtetasin rus, i cili u arrestua gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në veri.

“Ne jemi duke u bërë të padurueshëm nga provokimet e autoriteteve të Prishtinës në lidhje me një shtetas rus, bashkëpunëtor i UNMIK-ut Mikhail Krasnoschekov. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të rusëve dhe thirrjen për përgjegjësinë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për këtë incident të trembur”, tha Chepurin raporton n1.info.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një konference për media tha se në mesin e të arrestuarve është edhe një shtetas rus.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit ka marrë një aksion në komunat veriore ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.

https://kallxo.com/lirohet-shtetasi-rus-i-arrestuar-ne-veri/

.