Haradinaj: PDK ka qenë gjatë në pushtet, kanë arsye për t'i shkarkuar zyrtarët

Para dy ditëve, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka marr vendim të liroj nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore – si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit”, ka thënë ai.

Vendimin e Veselit e ka komentuar sot kryeministri i vendit në një konferencë për media.

Kur është pyetur nëse ai do të veproj njëjtë sikurse Veseli në partinë e tij, Haradinaj ka thënë se vendimet e asnjërës parti nuk ndikojnë tek vendimet e AAK-së.

“Ne jemi qeveria e koalicionit, çdo partner i koalicionit merr vendime për vete, nuk ndikon tek vendimet e tjerëve, dhe as unë te PDK, as ata tek ne. Ata kanë qenë gjatë në pushtet, kanë arsye pse kanë vepruar ashtu, ne i kemi dinamikat tjera dhe punojmë në drejtimin tonë, pa ndikuar prej vendimeve të një partie tjetër”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, kur është pyetur nëse vendimi i Veselit është një sinjal për zgjedhje të reja, Haradinaj nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

“Nuk e di për besë, nuk mundem me ndërlidhë, ajo që di është se zgjedhjen janë në 2021 dhe 2021 vjen shumë shpejtë, është mirë për të gjithë ata qe e kanë në plan me i fitu ato zgjedhje me punu”, është shprehur Haradinaj.

KALLXO.com ka raportuar për vendimin e Veselit.