Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj: Pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, BE nuk do të jetë e plotë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur respekt të veçantë për kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, për qëndrimin parimor ndaj Kosovës dhe të drejtës saj për të qenë pjesë e familjes europiane.

“Vendimi, që samiti i ardhshëm të ketë nikoqir Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut e bënë edhe më domethënës procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Kosova është pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe rreshtohet krah aleatëve si vlerë e shtuar e integrimit të rajonit në BE”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se njohja reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues, do të hapte perspektivën tonë. 

“E përkrah fuqishëm vizionin e kryeministrit Borissov për një Europë gjithëpërfshirëse, që shkon përtej mendësive të shekullit të kaluar, mendësi që kanë krijuar tragjedi dhe përjashtime. Pa përfshirjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse të familjes europiane, BE nuk do të jetë e plotë”, ka përfunduar Haradinaj.