Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Nuk u Japim Llogari Ambasadorëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se Qeveria e Kosovës nuk i jep llogari ambasadorëve për vendimet që merr dhe se lënda për Gjykatën Speciale do të procedohet brenda afatit kohor.

Këto komente kryeministri i bëri gjati takimit që zhvilloi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, zëvendësministrat dhe udhëheqësit e departamenteve të kësaj ministrie.

Ai ka deklaruar se vetëm Parlamentit të Kosovës i japin llogari pasi janë të zgjedhurit e Parlamentit, derisa theksoi se lidhur me demarkacionin dhe Gjykatën Speciale, Qeveria e ka kryer punën e saj për këto çështje.

“Dhomat e Posaçme, iniciativa është e Parlamentit ne e respektojmë Parlamentin. Ne Parlamenti na ka zgjedhur, vetëm Parlamentit i japim llogari nuk i japim llogari ambasadorëve, mos harroni këtë, do të thotë Qeveria e vendit llogari i jep Parlamentit, Parlamenti na ka zgjedh, ambasadorëve iu japin llogari marrëdhënieve diplomatike të marrëdhënieve me shtetin, por ne nuk i kemi punëdhënës ata, ne i kemi punëdhënës deputetët dhe sillemi me respekt ndaj tyre. Tani lënda është në Qeveri, janë procedura që duhet me u kaluar, i kemi 30 ditë, do t’i kalojmë procedurat në afat kohor të paraparë“, tha Haradinaj. /21Media