Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Haradinaj: Nuk synojmë koalicion me PDK, LDK dhe Vetëvendosjen

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mohuar mundësinë e ndonjë koalicioni parazgjedhor me PDK-në, LDK-në si dhe Lëvizjen Vetëvendosje, përderisa deklaroi se partnerë tradicionalë të AAK-së janë Nisma Socialdemokrate, PSD dhe AKR.

“ Do të ketë zgjedhje tani, në afatet kohore, ashtu është edhe dinamika dhe çdo gjë. Do të jemi në koalicion më Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kemi disa partner tradicional. NISMA, PSD-në, AKR-në. Nuk synojmë koalicion me paritë PDK, LDK, Vetëvendosje”, tha Haradinaj në një intervistë për SYRI.net.

Kryeministri në largim, insistoi që partia e tij do të shkojë e vetme në këto zgjedhje, kjo sepse sipas tij ajo i ka edhe temat me të cilat është më specifike.

“Ne shkojmë si Aleancë në zgjedhje, kemi marrë mësimet tona, kemi parë zhvillimet tona. Qëllimi është vërtetë i sinqertë, po dojmë mos me e konfuzu qytetarin në tema, po dojmë me i forcu disa tema si mosndarjen, moshapjen e Kosovës si treg pa njohje, nëse populli na jep përkrahjen hymë në borxh me i zbatu këto”, theksoi Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të premten në mbledhjen e Qeverisë ka dhënë dorëheqje për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj ka deklaruar se po jep dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi që dëshiron të shkojë në Hagë si qytetar e jo si kryeministër.