Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

Haradinaj Nuk Shkon në Interpelancë

Një ditë më parë deklaroi se i jep llogari Kuvendit “e jo ambasadorëve”, por 24 më vonë, kryeministri Ramush Haradinaj e dëshmoi të kundërtën.

Në këtë momente në Kuvendin e Kosovës është paraparë të mbahet interpelancë e Kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me veprimet e ministrit të Diasporës, Dardan Gashi i cili kishte gjuajtur me armë gjatë një ahengu, por Haradinaj nuk ka qëndruar në sallë.

Këshilltari për media i Kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi tha për KALLXO.com se janë rrugës për në Komunën e Gjilanit, ku me agjendë kanë takim me kryetarin e kësaj komune, Lutfi Hazirin.

“Kryeministri paradite ka qenë në seancë dhe sot sipas agjendës së përcaktuar kohë më parë është në vizitë zyrtare të Kuvendit Komunal, përkatësisht tek kryetari i Komunës së Gjilanit”, tha shkurtimisht Matoshi për KALLXO.com

Interpelancën e kanë kërkuar grupi parlamentar i LDK-së për veprimet e ministrit Gashi.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha në Kuvend se kërkon që pika e rendit të ditës të zhvendoset për më vonë, sapo të kthehet Haradinaj në seancë.

“Kemi kërku këtë interpelancë për veprimet e një ministri të tij që bie ndesh me kodin penal. Ne kërkojmë që kjo pikë të vendoset më poshtë në agjendë dhe debatin ta vëmë kur kryeministri të vijë në sallë”, tha Hoti gjatë fjalës së tij në seancë

KALLXO.com është duke e transmetuar live seancën e Kuvendit të Kosovës.