Halil Matoshi. Foto: KALLXO.com

Haradinaj nuk komenton deklaratën e Halil Matoshit për gazetarin e Kohës Ditore

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk e komentuar deklaratën e këshilltarit të tij për media, Halil Matoshi i cili ditë më parë kishte ngjyrosur publikisht gazetarin e gazetës “Koha Ditore”, Besnik Krasniqi se po fabrikon informacione dhe po “shkëlqen” në luftën kundër shtetësisë sonë.

Ky reagim i Matoshit kishte ardhur pas publikimit të shkrimit me autor Besnik Krasniqit në lidhje me taksën 100%.

Halil Matoshi një ditë më vonë i kërkoi falje gazetarit, mirëpo shefi i tij në qeveri, Ramush Haradinaj nuk deshi që ta komentoj këtë deklaratë.

“Halili është një njeri më përvojë në media. Halil Matoshi besoj se ai i ka gjykimet e veta. Nuk mund t’i komentoj gjykimet e tij. E di që është një njeri me përvojë, mendoj edhe një njeri i pendës, bukur i respektueshëm, e ka respektin në atë që shkruan dhe që e thotë”, tha Haradinaj, kur u pyet se si e komenton deklaratën e këshilltarit të tij.

Kjo pyetje nuk i kishte pëlqyer Halil Matoshit. Ai pretendonte se kjo pyetje ishte shtruar gabimisht.

“Keq e ke shtru pyetjen. Nuk kam thanë ndikim rus, kam thanë që kanë me të duartrokit. Keq e ki”, tha Halil Matoshi pas konferencës.

Ndërsa, gazetari, Besnik Krasniqi mos-komentimin e këtij rasti nga ana e Kryeministrit Ramush Haradinaj e vlerëson si mbështetje të ti ndaj vlerësimit të Matoshit.

“Me këtë, Kryeministri e merr bashkautorësinë në atë se çka e ka thënë Matoshi realisht. Sepse veç kështu mundet me u kuptu. Një mos-distancim prej asaj e bënë atë bashkautor të kërcënimit”, thotë Krasniqi për Drejtësia në Kosovë.

Drejtësia në Kosovë këtë të premte ka transmetuar emisionin për Sigurinë e Gazetarëve.

Në këtë emision kanë folur gazetarët, shoqatat e gazetarëve, Prokuroria e Gjykatat.