Kuvendi i Kosovës, 11.04.2019

Haradinaj: Nuk kemi investitor tjetër në tavolinë përveç ‘Contour Global'

Shefi i grupit parlamentar të LVV Glauk Konjufca tha se debati që po zhvillohet në Kuvend po bëhet për ta gjetur mënyrën më të mirë qysh të prodhohet energjia elektrike.

Konjufca tha se pajtohen plotësisht që Kosova ka nevojë për prodhimin e energjisë elektrike. Plani i Qeverisë, sipas tij, është plan i cili prek xhepin e qytetarëve.

“Plani yt që t’i e ke zgjedh qysh me prodhu Kosova energjinë elektrike e ke zgjedh një plan i cili në xhepin e qytetarëve ndikon drejtpërdrejt. Kjo është kritika jonë për ty”, tha Konjufca.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova humb nëse blen energji nga Serbia.

“Kostoja e prodhimit është krahasuese. Ne nuk kemi investitor tjetër në tavolinë përveç ‘Contour Global’”, tha Haradinaj.

Haradinaj kishte thënë se nuk është në interes të Kosovës të jetë vetëm konsumator.

Haradinaj tha se mes gjitha të këqijave Kosova po zgjedh të keqën që e lë të qëndrueshme e jo vetëm konsumator.

“A është interes i Kosovës me vazhdu me qenë vetëm konsumator? Pse edhe ne mos me qenë njëfarë adrese e energjisë në rajon? Unë jam i vetëdijshëm që investitori nuk ka ardhur për bamirësi. Por çka po ndodh me ne? Unë e di po ashtu që ekziston një mafi e energjisë e cila ka blerë energji për Kosovën qe 20 vjet. Edhe ndoshta nuk  është vetëm kombëtare, ndoshta është ndërkombëtare, e cila kish pasë qejf edhe këto dyja me i mëshel se ndotin shumë dhe hala pa pasë në prodhim, veç me rritë blerjen. Po na çka po zgjedhim si Kosovë po zgjedhim mes gjitha të këqijave cila është një e keqe bile që na len të qëndrueshëm, nuk na len veç konsumator” ,tha ai.