Kryeministri Haradinaj pret në takim një grup studentësh bursistë - Foto: ZKM

Haradinaj: Nuk do të Zvogëlohet Shuma e Bursave

Kryeministri Ramush Haradinaj priti në takim një grup të studentëve bursistë të Universitetit të Prishtinës, të cilët shprehën shqetësimet e tyre përkitazi me zvogëlimin e shumës së bursave, për të cilat thanë se do të ndikojnë ndjeshëm në motivimin e studentëve të dalluar bursistë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Haradinaj e quajti të padrejtë këtë vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, derisa i garantoi studentët që do të bëjë çdo gjë që është në kompetencën e tij dhe të Qeverisë së Kosovës që t’u ofrojë mbështetjen e duhur gjithë studentëve, duke theksuar se gjatë mandatit të tij arsimi do të jetë prioritet për Qeverinë.

“Është i padrejtë vendimi për zvogëlimin e shumës së bursës. Ju garantoj se nuk do të ketë zvogëlim të bursave, përkundrazi bashkë me Ministrinë e Arsimit do t’i shqyrtojmë mundësitë dhe format të tjera që kjo shumë të rritet”, tha kryeministri Haradinaj.

Në koordinim me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, Haradinaj ka shprehur interesim që studentët e dalluar të kenë forma sa më të mira të stimulimit  nga institucionet, duke thënë se do të rikthehet shuma e mëparshme e pagesës.