Foto: ZKM

Haradinaj nga Vlora: Kufijtë nuk lëvizin me fjalë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u deklarua sërish për korrigjimin e kufijve, por kësaj radhe nga qyteti i Vlorës.

Haradinaj tha se duhet të konsolidojmë të arriturat tona dhe se hapja e temave të kufijve është e papranueshme.

“Kufijtë janë vendos si rezultat i luftërave. Kufijtë nuk lëvizin me fjalë”, tha kryeministri.

Reagimi i Haradinajt vjen pas replikave mes tij dhe presidentit Hashim Thaçi, i cili sot gjatë konferencës për shtyp deklaroi se koha e luftës ka përfunduar.

Një ditë më parë kryeministri Haradinaj kishte thënë se kufijtë ndryshohen vetëm me luftë. Sipas Haradinajt, Kosova kufijtë e saj i ka vendosur me luftë dhe siç thotë ai, vetëm lufta mund t’i ndërroj.

Haradinaj gjatë qëndrimit në Vlorë, vizitoi Monumentin e Pavarësisë, varrin e Ismail Qemalit dhe shtatoren e Isa Boletinit, ku vendosi edhe kurora lulesh, i shoqëruar nga kryetari i këtij qyteti, Dritan Leli.

Haradinaj u shpreh se sot është vlonjat dhe ndihet më shumë se çdoherë shqiptar, siç tha ai këtu në zemrën e shqiptarëve.

“Jam i bindur që duke qenë më afër njeri tjetrit, e ndihmojmë veten”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, edhe atyre të diasporës, që të shkojnë në Vlorë për pushimet verore.

Ndërkaq, kryetari i Vlorës Dritan Leli, e vlerësoi si historike vizitën e kryeministrit Haradinaj në këtë qytet.

“Të gjithë së bashku po e vlerësojmë njeriun më të madh të kombit, Ismail Qemalin, figurën që bëri historinë e madhe të shqiptarëve dhe se sot, duke u përpjekur që secili nga ne, në rrugën e tij, të bëjë historinë për të mirën e vendit, për të mirën e Shqipërisë”, tha Leli.

Vizitën e tij të fundit, Haradinaj e bëri tek Muzeu i Pavarësisë dhe Muzeun Historik ku u njoftua  për historikun e ngjarjes prej kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë.

Haradinaj tha se shqiptarët janë populli më i vjetër në trojet e veta në Ballkan dhe është njoftuar me atë se si ka lind ajo që është e re e shqiptarëve, si ka lind Shqipëria e re e vitit 1912.