Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë vizitës në Gjermani - 06.06.2019 Foto: Facebook

Haradinaj nga Gjermania: Kosova pro dialogut me njohje në kufijtë ekzistues

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Gjermani ka bërë të ditur se sot ka pasur një mëngjes pune me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratoviç, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen.

Kryeministri ka shkruar në Facebook se ka shprehur qëndrim se Kosova është pro dialogut dhe njohjes në kufijtë ekzistues.

“Me deputetët gjermanë biseduam për zhvillimet e gjithëmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kam shprehur qëndrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Haradinaj ka përmendur edhe liberalizimin e vizave.

“Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv”, thuhet në publikimin e të parit të qeverisë.

Sipas kryeministrit Haradinaj, roli i shtetit gjerman ka qenë dhe mbetet i fuqishëm për konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit tonë dhe siç është shprehur ai, aktualisht janë në pikën kulmore të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë.

Vizita e Haradinajt në Gjermani i paraprin samitit të Parisit që pritet të mbahet muajin e ardhshëm, ku pritet të diskutohen raportet dhe dialogu Kosovë-Serbi.