Haradinaj: Nëse zgjedhem kryeministër dhe më ngritet aktakuzë, përsëri jap dorëheqje

Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se në rast se zgjedhet përsëri kryeministër i vendit, dhe ndaj tij ngritet aktakuzë nga Gjykata Speciale, ai përsëri do të jap dorëheqje nga kjo pozitë.

Këtë deklaratë ai e ka thënë në një intervistë për RTV Dukagjini.

“Normal që po, nëse je i akuzuar nuk mundesh me udhëheq vendin. Nga ajo që di është se nuk kam obligime të tjera ndaj gjykatës, jam i lirë si secili në vendin tonë me garu, vlerësimi im është se nuk ka aktakuzë dhe nuk do të ketë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se shkarkimin e tij nga pozita e kryeministrit e ka bërë ftesa për t`u përgjigjur si i dyshuar në Gjykatën Speciale.

“Unë e kam pas një zgjidhje me shku si kryetar shteti, si i dyshuar e mos me dhënë dorëheqje, por kushdo qe e ka qu atë festë e ka ditë që nuk e bëjë atë, nuk e çoj Kosovën ashtu”, u shpreh Haradinaj.

Ai ka shtuar se dhënia e kësaj dorëheqje e ka shpëtuar Kosovën nga një dëm që di t’i ishte bërë.

Me 19 korrik, ish kryeministri i vendit Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, në konferencë para gazetarëve ka lexuar letrën ku ai jep dorëheqje nga pozita e tij, duke njoftuar njëkohësisht se është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në cilësinë e të dyshuarit.