Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Nëse e Shohim të Nevojshme Mund ta Ftojmë FBI-në

Kryeministri i Kosovës ka folur rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit që ka ndodhur sot në mëngjes në Mitrovicën Veriore.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Ramush Haradinaj tha se institucionet e Kosovës janë në krye të detyrës.

“Nëse do ta ndjejmë nevojën për ndihmesë në hetime, mund ta ftojmë FBI-në“, tha Haradinaj, duke shtuar se institucionet e Kosovës nuk i mirëpresin deklarimet e askujt për ndërhyrje në rend dhe ligj në veri.

“Mendojmë se edhe ky krim por edhe zhvillimet të caktuara kriminale që ndodhin në veri janë rezultat i involvimeve ilegale që ndodhur në veri nga instanca tjera jashtë Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, i cili ishte i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Haradinaj shprehu përkushtimin e institucioneve që vrasjen e Ivanoviqit ta zbardhin sa më shpejt.

Drejtori i Policisë tha që nga raportimi i rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit është formuar një “task force” që do t’i kryejë hetimet. “Për shkak se kemi të bëjmë me një rast të profilizuar, pra me një politikan, unë kam caktuar edhe ekspertë të hetimeve të krimeve serioze nga drejtoria e përgjithshme”, tha Shpend Maxhuni.

“Policia do të bëjë cdo gjë në mundësinë, kapacitetin dhe autoritetin e saj për të zbardhur këtë rast”, shtoi Maxhuni.

Dhe, nëse në një rrethanë e vlerësojmë se do të na nevojitet mbështetje më e specializuar për të ardhur deri në përfundim të këtij rasti mund t’i adresohemi edhe FBI-së. Por deri në këtë rrethanë vlerësojmë se nuk do të na nevojitet në një të ardhme të afërt parashtrimi i një kërkese të një karakteri të tillë“, theksoi Shpend Maxhuni.