Haradinaj: Nënshtrimi i liderëve për interesa personale, sjell pasoja tragjike

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur se Kosova është e përcaktuar që shteti të ndërtohet në demokraci dhe mbi bazën e vlerave euro-atlantike.

Përmes një publikimi në Facebook, Haradinaj duke mos përmendur raste specifike, ka shkruar se kontrata e secilit lider me popullin dhe shtetin, është kontratë me Kushtetutën dhe ligjet.

“Këtë kontratë, e zbatojnë vetëm liderë dhe udhëheqës, të qëndrueshëm, të cilët para çdo interesi personal, e kanë parësor shtetin dhe qytetarin. Qëndrueshmëria e bazuar në të drejtën dhe konsistenca në politikbërje, e forcon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe e bënë ndryshimin”, thuhet në shkrimin e tij.

Sipas Haradinajt, nënshtrimi për interesa personale apo grupore, sjell pasoja tragjike për vendin.

“Nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat vitale, nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen tonë! Vetëm demokracia dhe vullneti i qytetarëve, mund dhe duhet ta sfidojë secilin liderë, duke ia përcaktuar të ardhmen politike”, thuhet në shkrimin e kryeministrit në largim.

Haradinaj në vazhdimësi është shprehur se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të arrihet përmes njohjes reciproke ndërmjet të dyja vendeve.

Ai në mënyrë kategorike ka kundërshtuar idenë për “korrigjim të kufirit”, iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, Haradinaj kabineti i të cilit vendori taksë 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, edhe pas dorëheqjes nga pozita e kryeministrit ka deklaruar se  ky vendim nuk duhet të hiqet deri në njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Kurse, vetë Haradinaj nuk kishte marr përsipër udhëheqjes e dialogut Kosovë-Serbi, duke ia dhënë përgjegjësitë Delegacionit Shtetëror të Kosovës në këto bisedime, kur më pas ky i fundit u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.