Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj në takim me Kosnett: Qeveria do partneritet me ShBA-në

Takimi i sotëm mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ambasadorit amerikan në Kosovë Philip S. Konsett nuk ishte në lidhje me pezullimin e taksës dhe dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu ka bërë të ditur Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku tha se kësaj radhe kanë biseduar për zhvillimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë në vend.

“Kosova tashmë ka krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore fiskale, Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane dhe veprime të tjera konkrete në favor të prodhuesve vendor, të cilat janë bazë e fortë për zhvillim ekonomik. Për më shumë, partneriteti jonë në fushën e sigurisë është i domosdoshëm për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Qeveria e vendit është e vendosur për partneritet afatgjatë me ShBA-në dhe në këtë frymë do të angazhohemi pandalur”, tha Haradinaj

ShBA dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar tash e disa muaj janë duke kërkuar pezullimin e taksës 100 përqind të vendosur muaj më parë nga Qeveria.

Por për këtë gjë nuk po ‘lëkundet’ lehtë kryeministri Haradinaj, derisa partnerët e tjerë të koalicionit kanë përkrahur kërkesat e ndërkombëtarëve.