FOTO: Facebook

Haradinaj në Samitin e Berlinit: Rishikimi i kufijve mund të çojë edhe në dhunë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka theksuar disa herë brenda Samitit të Berlinit rëndësinë e integritetit territorial të Kosovës.

Krerët e shtetit të Kosovës po marrrin pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor në Berlin me ftesë të Kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez Macron.

Haradinaj në këtë takim ka falenderuar mbështetjen gjermane për ‘për të drejtën e Kosovës në shtetësisë dhe integritetit territorial’.

Ai ka bërë thirrje që Serbia të njohë Kosovën në kufijtë ekzistues.

“Unë dëshiroj të paraqes këtu para juve zotimin tim personal dhe të pakushtëzuar që unë do të kontribuoj për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë serbë. Unë e bëj këtë zotim pa pasur ndonjë ofertë nga Beogradi. Në fakt, është një zotim që ne e kemi aplikuar pasi kemi mishëruar të gjitha rekomandimet e planit të Ahtisaarit në kushtetutën dhe ligjet tona”, tha ai.

Ai shtoi se një rishikim i kufijve mund të çojë në dhunë.

“Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një vale të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës.Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për të hapur kufijtë tanë, dhe jo për të krijuar kufi të rinj”, tha ai.

Po ashtu, ngjashëm me dy liderët tjerë pjesëmarrës në këtë takim, Haradinaj insistoi në çështjen e liberalizimit të vizave.

“Ne nuk duam asgjë më shumë se të drejtat e njëjta siç i gëzojnë vendet tjera – dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave. Ne dëshirojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë të plotë si anëtare e Aleancës Perëndimore, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese e zgjidhjes, së bashku me Bashkimin Evropian”, përfundoi ai.