Foto: Facebook/RamushHaradinaj

Haradinaj në Rahovec flet për vlerat e UÇK-së, nderon veprën e Shejh Myhedinit

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj këtë të diel ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për atdhetarin Shejh Myhedin Shehu, në qytetin e Rahovecit.

Haradinaj, i cili të premten dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, me motiv ftesën nga Gjykata Speciale, foli edhe për vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Atdhetarë e luftëtarë të zotë, e gjetën vetën në periudhat më të vështira të mundshme. Janë vetëm pak njerëz të kombit tonë që s’u ndalën. Noshta nuk është rastësi se pse Shejh Myhedin Shehu nuk e përfilli urdhërin e forcave serbe, që të vihet në anën e tyre për ta bindur popullin mos me rezistu, për t’i larguar nga UÇK-ja, për t’i bindur UÇK-në me i ndal operacionet e tyre ushtarake, detyrat e tyre për liri, pra ai nuk e pranoi një rol të tillë”, tha Haradinaj.

Kryeministri në dorëheqje uroi edhe përurimin e shtatores së heroit Shejh Myhedin Shehu.

“Nëse vlen fjala qysh janë njerëzit ju merr moti. Njerëz më të mirë se në Rahovec nuk ka. Kjo është një ditë që shënohet dhe mbahet mend për shumëçka. Një ngjarje si kjo e bën krenar popullin. Jemi  në vendin ku 21 vjet më herët ra një udhëheqës fetar e shpirtëror”, theksoi Haradinaj, duke ndarë edhe dekoratën Gjergj Katrioti Skënderbeu.

Edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi përkujtoi 21 vjetorin e rënies së  Shejh Myhedin Shehu.

“Ai do të kujtohet gjithmonë si udhëheqës shpirtëror fetar, si patriot dhe si hero i Kosovës, Shejh Myhedin Shehu i cili u vra nga dora e pushtuesit serb. Ai është shembulli më i mirë i një prijësi fetar të devotshëm, një atdhetar dhe mbrojtës i popullit deri në vetëflijim”, tha Latifi.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të premten e 19 korrikut, me arsyen se është thirrur për intervistim nga Gjykata Speciale, si i dyshuar.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.