Haradinaj në përvjetorin e GJND-së, përmend ftesën nga Specialja

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar  9-vjetorin e verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me Pavarësinë e Kosovës.

“Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare. Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial”, ka shkruar Haradinaj.

Ai këtë ditë e lidhi edhe me datën e  ftesës së tij nga Gjykata Speciale që çoi në dorëheqjen e tij si kryeministër.

“Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, publikoi me 22 korrik 2010 opinionin këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Gjatë fjalës së tij Kryetari i Gjykatës, Hiasashi Ovada tha se shpallja e pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër gjykata shprehi mendimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas gjykatës nga të gjitha të dhënat pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK

Ndërsa, Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, e që do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë, deri më tash ka intervistuar dhjetëra ish-komandantë të UÇK-së, përderisa ftesa kanë pranuar edhe udhëheqës të lartë politik vendor.

Rasti më i fundit është ftesa për intervistim si i dyshuar që i është bërë kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili më pas dha dorëheqje nga posti i tij.