Foto: ZKM

Haradinaj në përkujtimin për Reçakun: Kush guxon, le t’i jep tokë Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur sot në akademinë përkujtimore në 2o vjetorin e masakrës së Reçakut me tone të ashpra ndaj idesë për ndryshimin e kufijve dhe ndaj asaj që ai e vlerëson si tolerim i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Deri kur po dojnë miqtë tanë me e la veten duke i rëndu shqiptarët… duke ia bërë hatrin herë Dick Martyt, herë Rusisë, herë Serbisë e në fund: hajde jepja edhe një copë tokë Serbisë. Po le t’ja jep dikush kush guxon me ja dhanë, le t’ja jep tokën e Kosovës dikush edhe le ta shohë qysh ka m’i dalë. Pse jam ka foli kështu? Ne nuk i kemi borxh kujt, ne nuk jemi me marre, jemi në tokën tonë”, tha Hradinaj, dukshëm i emocionuar nga pamjet e një dokumentari rreth masakrës së Reçakut.

Ai foli edhe për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe duke shtuar se Kosova ia ka vendosur këtë taksë “kësaj Serbie që e pamë në dokumentar dhe asaj që po na pengon”.

“20 vjet ia kemi dhënë shansin e vetëdijesimit, pas 20 viteve ndodhemi kështu dhe jemi detyruar të kthehemi kah vetja”, tha Haradinaj.

Ai tha se serbia asnjëherë nuk ka dhënë sqarime për mënyrën e vrasjes së shqiptarëve, mbetjet e të cilëve janë gjetur në Serbi gjatë viteve të pasluftës.

“Askush nuk e ka një certifikatë që tregon qysh kanë vdekë ata njerëz, sa organe u janë marrë atyre… të kujt jemi ne, a jemi edhe ne të Zotit, a jemi qenie? Ndoshta i kanë mbytë të gjallë, me kontejner i kanë gjujt në ujë”, tha Haradinaj.