Haradinaj në Pejë: Amerikë Ne të Duam!

Në tubimin opozitar në Pejë, Ramush Haradinaj kërkoi ndihmën e Amerikës për të ndaluar marrëveshjet.

Duke iu drejtuar të tubuarve, Haradinaj konfirmoi miqësinë e përjetshme Kosovë-Amerikë.

“Amerikën e kemi mik, e kemi mik përjetë. Amerikës prej këtu i themi, prej Dukagjinit dhe prej Kosovës, ne të duam, na të kemi mik, na të dëgjojmë, të nderojmë. Por të lutem ndihmona t’i ndalojmë këto marrëveshje të padrejta për Kosovën. Këto marrëveshje duhet të ndalohen,“ tha Haradinaj.

Kur qëndroi në Kosovë më 2 dhjetor, sekretari amerikan i shtetit John Kerry, në një fjalim nga aeroporti i Prishtinës porositi mes tjerash se Amerika nuk lejon nënshkrimin e marrëveshjeve që cenojnë sovranitetin e Kosovës.

Në tubimin opozitar, kreu i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri i quajti liderët e partive të koalicionit qeveritar “të pafytyrë”.

“Isa e Hashimi sot nuk e kanë vetëm një fytyrë, i kanë 100 fytyra. Një e kanë për Serbinë, një tjetër për Gjukanoviqin, një tjetër për ndërkombëtarët dhe një krejt tjetër për popullin e Kosovës. Edhe natyrisht që kur i ke të gjitha këto fytyra, nuk e ke asnjë. Këta të pafytyrë që kanë okupuar pushtetin e që po falin pasuri dhe toka të Kosovës, këta nuk janë udhëheqësit e Kosovës,” tha Ymeri.

Në tubimin e Pejës mungoi Fatmir Limaj, lideri i Nismës, pasi sot u zhvillua seanca e gjykimit të tij dhe katër personave tjerë që akuzohen për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar.

Në Pejë nga Nisma foli Jakup Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar të këtij subjekti.

“Nëse Isa e Hashimi kanë prona të veta për t’i falur , le t’i falin, por jo pronën e Republikës së Kosovës,“ tha Krasniqi.

Demarkacionin me Malin e Zi e kundërshtuan edhe përfaqësues të komuniteteve.

Liderët opozitarë në këtë manifestim në Pejë u bënë thirrje dukagjinasve që t’i bashkohen protestës gjithëpopullore të paralajmëruar më 9 janar në Prishtinë.